Mikhail Kallashnikov në vitin 1946 dizenjoi armën më famëkeqe, AK47. Shkencëtarit rus ju kërkua të krijonte një armë të re për të zëvendësuar armët jo shumë efikase të ushtrisë së kuqe dhe shpikësi, në fakt mori shumë nga elementet e një arme të nazistëve e quajtur MP 44.

Prej 1946, në gjithë botën u shpërndanë 100 milionë kallashnikovë dhe armë të së njëjtës familje. Kjo armë, e lehtë në përdorim dhe me kosto të ulët është mjeti më i përdorur në luftërat civile, në konfliktet e ndryshme në gjithë botën, veçanërisht në vendet e botës së tretë. Ajo është arma e preferuar e terroristëve.

Çdo vend i Lindjes dhe bllokut komunist prodhoi një variant të tijin. Shqipëria komuniste sapo hyri në traktatin e Varshavës u pajis me këtë armë dhe në votët 60 dhe 70 u ndërtuan edhe dy uzina, një në Gramsh dhe tjetra në Poliçan, të cilat prodhuan kallashnikovin shqiptar dhe armatimet për të.

Mbi 1.5 milionë mendohet se ka qenë rezerva e kësaj arme në depot e ushtrisë shqiptare, ndërsa një pjesë e madhe ra në duart e civilëve dhe u bë aktorja kryesore e ngjarjeve të rënda prej vitit 1997 e deri më tani.

Kallashnikovi është aktualisht arma kryesore e ushtrisë e policisë shqiptare. Pas hyrjes së Shqipërisë në NATO repartet e ndryshme të saj nisën të ndryshojnë armatim nën asistencën e vendeve aleate, kryesisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo edhe Turqisë dhe së fundmi edhe me ndihmën e Italisë.

Top Channel