Marsida 14 dhe Bledi 16 vjeç, dy fëmijët e familjes Beqiri në Shezë të Peqinit kanë vetëm ngrohtësinë e nënës dhe u mungon çdo kusht tjetër për t’u rritur si të tjerët.

Ata nuk kanë mundësi të shkollohen, të vishen, të ushqehen apo të ngrohen nga acari.

“Nuk shkoj në shkollë. Mungojnë që të gjitha. Do të dëshiroja që të shkoja në shkollë”, thonë fëmijët.

Babai i ka braktisur rreth 13 vite më parë. Energjinë eletrike ua ndërprenë para dy vitesh pasi nuk mund ta paguanin, por nuk i kurseu as natyra. 2 vjet më parë banesa iu shkatërrua nga tërmeti dhe ndonëse u cilësua e pabanueshme, askush nuk mori përsipër të strehojë nënën me dy fëmijë.

“Ndihma jo, lekë jo, shtëpi jo! Ça të flas më. Me një copë plastmas kam dalë me fëmijët atje matanë. I zuri gjumi të lagur dhe ditën tjetër do të shkonin në shkollë. Çuni nuk shkoi në shkollë se ishte i lagur”, thotë Merita.
 
Merita mbledh bimë mjekësore për të siguruar pak të ardhura për të jetuar. Megjithë dëshirën për t’u shkolluar fëmijët e kanë lënë shkollën që në klasë të 6-të, pasi gjykojnë se është më e drejtë të ndihmojnë nënën e tyre.

Tashmë që dimri ka ardhur Merita kërkon qoftë edhe një çadër për të strehuar fëmijët e saj, me frikën që shtëpia mund t’i  zërë poshtë.

Top Channel