Ngjitja e (pa) mundur e Interit, 7 ekipe para në Serie A

21/11/2016 00:00

Me 8 pikë larg zonës së Champions League, 7 skuadra përpara në renditjen e serisë A dhe 5 ndeshje nga kjo javë deri në Krishtlindje, që të gjitha vendimtare. Ngjitja e Interit në klasifikim për të shkuar në objektivin parasezonal duket një mision thuajse i pamundur pavarësisht besimit të trajnerit Stefano pioli, që mori në duar çelsat e ekipit me besimin se do t’ia dalë.

Derbi konfirmoi që Inter është një skuadër e aftë të arrijë minimalisht vendin e tretë, dhe pikërisht për këtë, 450 minutat e ardhshme do ti japin drejtuesve përgjigje më të qarta e ndoshta përfundimtare për të ardhmen. Zikaltërit do të rinisin vrullin atuz ku e lanë, nga entuziazmi i barazimit në “San Siro”. Në po të njëjtin stadium këtë radhë do të vijë Fiorentina, dhe kalendari do të pasojë me transfertën e sikletshme ndaj Napolit në “San Paolo”.

Ekipi i Piolit ka një problem të madh ekuilibri me distancim mes 3 reparteve dhe gabimet individuale nuk ndihmojnë në lidhjen e skuadrës. Pas dy përballjeve të para, Inter do të luajë sërish në shtëpi ndaj Xhenoas, më pas ndaj Sasuolos e në mbyllje me Lacion në “San Siro”, aty ku saktësisht një vit më parë Pioli dhe Kandreva me fanelën e kaltër, nisën krisjet e para të epokës Mancini.

Top Channel