Thaçi dekoron personalitete nga Maqedonia

21/11/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi me “Mirënjohje” mbi 100 personalitete nga Maqedonia për merita në çështjet shqiptare, por edhe për kontributin e dhënë në kuadër të fqinjësisë së mirë.

Dekorimi është zhvilluar gjatë një ceremonie në Shkup, ku Presidenti Thaçi ka theksuar se ndjehet krenar që këto dekorata ndahen në prag të përvjetorit të 108-të të themelimit të Alfabetit të sotëm shqip në Kongresin e Manastirit.

“Sot jam i lumtur dhe i privilegjuar që gjendem në mesin tuaj. 108 vite më herët, shqiptarët ende duke mos qenë të pavarur, vendosën që t’i japin kombit një orientim të qartë politik, historik,  kulturor e civilizues.  Ata , duke përzgjedhur një alfabet latin, edhe pse ende pjesë e Perandorisë Osmane, vendosën që të jenë me Perëndimin”, ka shtuar ai.

“Ishte kështu edhe 90 vite pas Kongresit të Alfabetit, kur Kosova zgjodhi një rrugë të qartë, të dhimbshme, por edhe krenare duke luftuar për ruajtjen e ekzistencës së saj”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fjalën e tij, presidenti ka falënderuar edhe ata që me vite të tëra kaluan në burgjet jugosllave duke kërkuar liri, emancipim dhe të drejta për shqiptarët kudo që janë. Ai ka thënë se është mirënjohje për veprimtarë e politikanë që me kohë patën vizionin e duhur, sensin dhe gatishmërinë që të orientohen drejt për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Thaçi ka shtuar se ky është një kthim borxhi edhe ndaj institucioneve akademike të Kosovës, ku për decenie të tëra janë formësuar elitat intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë. Ai kë thënë se në këtë listë gjenden edhe ata maqedonas që me kontributin e tyre profesional e intelektual, mbajtën gjallë komunikimin tonë shpirtëror e kulturor, për çka ne i respektojmë posaçërisht.

Presidenti i Kosovës ka kërkuar gjithashtu unitet nga faktori politik shqiptar në Maqedoni, për të mbrojtur më mirë të drejtat e shqiptarëve atje.

Top Channel