“Bunk’Art 2”, jehonë në Washington Post

21/11/2016 00:00

“Një ish-bunker bërthamor komunist u rihap ditën e shtunë si një muzeum në kryeqytetin e Shqipërisë për t’u treguar të gjithë vizitorëve sesi persekutonte regjimi kundërshtarët e vet”.

Me këto fjalë Washington Post nis pasqyrimin e hapjes së “Bunk’Art 2” në Tiranë.

“Bunkeri 1 mijë metër katrorë, me mure betoni të përforcuara deri në 2.4 metra thellësi është ndërtuar mes viteve 1981-1986 për të strehuar udhëheqësit e policisë dhe të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe në rast të një sulmi të huaj bërthamor”, shkruan më tej prestigjiozja amerikane.

“Ëashinton Post” thekson se në ambientet e muzeut gjenden fotografitë që ilustrojnë persekutimin politik të më shumë se 100 mijë shqiptarëve nga viti 1945 deri në vitin 1991.

“20 dhomat e muzeut tregojnë historinë e policisë shqiptare nga 1912 deri në vitin 1991 si dhe emrat e 6027 të ekzekutuarve të regjimit, 34 mijë të tjerë të burgosur dhe emrat e më shumë se 50 mijë të tjerëve të dërguar nëpër kampet e përqendrimit”, vijon më tej artikullin gazeta amerikane.

Në ceremoninë e hapjes ditën e shtunë, Kryeministri Edi Rama tha se hapja e këtij bunkeri ka një mision; kujtesën dhe nderimin e viktimave të regjimit.

“Sepse cilido që harron të kaluarën është i dënuar që në këtë jetë ta rijetojë atë”. u shpreh ai.

Gjatë protestave të 8 dhjetorit të vitit të kaluar, opozita dhe një pjesë e ish të përndjekurve sulmuan hyrjen e këtij bunkeri dhe akuzuan Edi Ramën se përmes tij po shprehte nostalgjinë për regjimin. Kryeministri iu përgjigj edhe këtyre akuzave.

“Kushdo që thotë ky është një bunker për të risjellë në formë shprehjeje nostalgjie dhunën e së kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin sipër, ka një detyrim moral të vijë dhe ta vizitojë dhe ta qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e këtyre 25 viteve kanë një hapësirë që t’u flasin njerëzve drejtpërdrejtë, jo përmes të tretëve, jo përmes librave, kujtimeve, fjalimeve, por fizikisht”, deklaroi Kryeministri.

 Në këtë ceremoni, Kryeministri përmendi edhe dosjet dhe foli për “disa që i tremben hapjes së tyre”.

“Dosjet për të cilat kanë ende frikë, makth dhe pafuqi të trishtueshme disa që i tremben edhe bunkerit edhe muzeut poshtë, njësoj si korbat i tremben një dordoleci”, u shpreh ai.

Top Channel