Rriten rrogat në shëndetësi

21/11/2016 00:00

Në 1 mars 2017  pagat e mjekëve do të rriten me 1.7 herë, të infermierëve 2.4 herë, ndërsa e sanitarëve me 35% . Këtë u ka komunikuar kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me ta për reformën në shëndetësi.

“Sot marrin mesatarisht 390 mijë lekë në muaj, nga 1 marsi do të marrin mesatarisht 450 mijë lekë në muaj infermierët. Mjekët, sot marrin mesatarisht 690 mijë lekë në muaj, nga 1 marsi do të marrin 780 mijë lekë në muaj. Rroga e infermierëve rritet me përqindje dhe rroga për gjithë pjesën tjetër që janë nën infermierët, që janë sanitarët e të tjerë, rritet me 35 përqind”, deklaroi kryeministri Rama.

Përveç rritjes së pagave, ministri i Shëndetisë, Ilir Beqaj, duke vlerësuar punën e personelit mjekësor, si dhe duke radhitur investimet që po bëhen në infrastrukturën spitalore theksoi se do të dyfishohet shpërblimi për ata që  ofrojnë shërbim roje.
 
“Do të dyfishojmë shpërblimin e rojes, ndërkohë që kush punon në shërbimet e urgjencës dhe kush shërben në çdolloj reanimacioni do të marrë një shtesë page edhe 25 përqind”, tha Beqaj.

Këtë vit për shëndetësinë është planifikuar një buxhet prej 47 mld e 30 mln lekë, rreth 11.4 miliardë lekë më shumë se tre vite më parë.

Duke folur për reformat në shëndetësi, Kryeministri Rama shpjegoi edhe përfitimet nga partneriteti me privatin, ku përveç rritjes së cilësisë së shërbimit, theksoi dhe investimin në infrastrukturë që bëjnë kompanitë private dhe që më pas mbeten në sistemin publik.

Rama përmendi investimet në infrastrukturën e spitaleve në gjithë vendin dhe në rritjen e pagave për mësuesit dhe infermierët.

Kryeministri shtoi se është e vështirë të mposhtësh perceptimin për reforma të tilla, si ajo në shëndetësi dhe ajo në arsim, por shprehu bindjen në vijimësinë e këtyre reformave.

Sa i takon shëndetësisë, Rama u shpreh se pamundësia financiare e Qeverisë nuk lejon që të ndërmerren të gjitha ndryshimet e nevojshme në të njëjtën kohë.

“Por ne po bëjmë gjërat në radhën e duhur”, u shpreh ai.

Top Channel