Berlusconi: Mund të qëndroj nëse më lejojnë të ndërhyj në merkato

21/11/2016 00:00

Milani do të kalojë zyrtartisht në pronësi të investitorëve kinezë në muajin dhjetor. Ai që e konfirmoi këtë ishte vetë presidenti i klubit kuqezi, Silvio Berlusconi.

“Data e ndryshimit të pronësisë së Milanit ështe fiksuar për në 13 dhjetor. Besojmë se nuk do të ketë pengesa dhe do të mund të marrim autorizimin nga shteti kinez. Kemi mundur gjithashtu të marrim sigurinë e duhur edhe nga bankat”, tha Berlusconi.

Silvio Berlusconi foli edhe për të ardhmen e tij në drejtimin e klubit, duke theksuar se ai mund të qëndrojë në rolin e Presidentit të Nderit të Milanit, por me kushte.

“Investitorët kinezë kërkojnë që unë të jem ende Presidenti i Milanit. Por, unë nuk mund të qëndroj më në krye të një klubi që nuk është i imi. Duhet të më jepet mundësia për të bërë ndërhyrje në merkato dhe të jap mendime për formacionin. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë mund të pranoj rolin e Presidentit të Nderit. Një tjetër kusht që unë të pranoj për të qenë në klub është edhe qëndrimi i Adriano Gallianit”, shtoi Presidenti i kuqezinjve.

Berlusconi bëri komentin edhe për derbin me Interin, i përfunduar me barazimin 2-2. Sipas tij, ky rezultat ishte i drejtë pasi në fushën e lojës u pa një ndeshje e ekuilibruar mes dy skuadrave.

Top Channel