Tiranë, aksion kundër shfrytëzimit të prostitucionit dhe drogës; 7 të arrestuar

21/11/2016 00:00

Seksione të ndryshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë zhvilluar në 24 orët e fundit një seri operacionesh me qëllim goditjen e kriminalitetit, veçanërisht kundër shfrytëzimit të prostitucionit dhe shpërndarjes së drogës.

Kështu, sipas një njoftimi për shtyp, agjentët e seksionit kundër trafiqeve kanë arrestuar dy të rinj dhe kanë shpallur në kërkim një të tretë nën akuzën e “trafikimit të personave të mitur” dhe “përdorimit të lokaleve për prostitucion”.

Personat e arrestuar janë shtetasit Florian Bregu dhe Xhonatan Terpollari, përkatësisht 36 dhe 21 vjeç dhe banues në Tiranë.

Në lokalin e tyre, “Night Club” janë ndaluar edhe tre vajza të cilat ishin punësuar si balerina, por që dyshohet se shfrytëzoheshin edhe për prostitucion. Njëra nga vajzat, nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ishte 16 vjeçe.

Klubi drejtohej nga 36-vjeçari Bregu, ndërsa Terpollari dhe shtetasi tjetër me inicialet L.B, i shpallur në kërkim, ishin bashkëpunëtorët e tij.

Ndërkohë, në disa ndërhyrje të realizuara në zona të ndryshme të kryeqytetit agjentët e antidrogës kanë arrestuar në flagrancë 5 persona, të cilët shpërndanin narkotikë të llojeve të ndryshme.

Sipas njoftimit, të arrestuarit janë shtetasit Arif Kostenja, Erjon Rrodhe, Hamdi Dervishi, Elton Çeliku dhe Fatos Rama, të moshave nga 35 në 25 vjeç dhe të pestë banues në Tiranë.

Ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy doza me lëndë narkotike të llojit kokainë dhe 10 doza të tjera të llojit kanabis sativa.

Top Channel