Afganistan, sulm vetëvrasës në xhaminë e Kabulit, 27 viktima

21/11/2016 00:00

Një atentator vetëvrasës u ka marrë jetën të paktën 27 personave kur është hedhur në erë brenda një xhamie shiite në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Policia lokale njofton se të paktën 35 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi, që ndodhi kur atentatori ndodhej mes turmës së njerëzve brenda objektit të kultit.

Për momentin nuk ka patur një marrje përsipër të përgjegjësisë së sulmit, por ai vjen në një kohë kur vërehet një rritje e akteve të dhunës sektare ndaj komunitetit shiit të Afganistanit.

Rasti i fundit ndodhi gjatë një shërbimi për të përkujtuar vdekjen e imamit Hussein, nipi i profetit Muhamed dhe martir shiit. Sipas disa dëshmitarëve, shërbimi thuajse kishte përfunduar kur atentatori u hodh në erë në katin e parë.

“Isha brenda në xhami dhe mullahu po lexonte lutjen. Papritur ndodhi një shpërthim i madh dhe gjithçka u errësua”, ka treguar Ewaz Ali, 50 vjeç. Mes viktimave thuhet se ka edhe fëmijë.

Top Channel