Obama: Nëse Trump kërcënon vlerat themelore do të ndërhyj

21/11/2016 00:00

Nga Peruja, në konferencën e tij të fundit për shtyp jashtë kufijve, Barack Obama përsëriti për botën këshillën që i kishte drejtuar më herët liderëve të Amerikës Latine: “bëni durim dhe prisni që të shikoni çfarë qasjeje do të marrë presidenca e Donald Trump”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se pasi të lërë Shtëpinë e Bardhë mund të komentojë veprimet e pasardhësit nëse ai kërcënon vlerat amerikane. Në Shtetet e Bashkuara është normë që ish-presidentët t’i largohen sherreve politike dhe të shmangin deklaratat mbi personin që u zë vendin.

“Në respekt të postit, unë dua t’i jap presidentit të zgjedhur mundësinë të parashtrojë platformën dhe argumentet e tij. Por nëse ka ndonjë çështje që prek thelbin e vlerave dhe idealeve tona, mbrojtjen e të cilave unë e konsideroj të nevojshme, atëherë do ta shqyrtoj situatën me kujdes”, tha Obama.

Presidenti në ikje e përshkroi veten si një “qytetar amerikan i cili shqetësohet thellësisht për vendin e tij”. Komentet e tij vijnë në një kohë shqetësimesh në rritje mes grupeve të të drejtave të njeriut dhe atyre që lidhen me përzgjedhjet politike të Trump.

Steve Bannon, kryestrategu i presidentit të zgjedhur, ka qenë më parë drejtuesi i Breitbart, një website i akuzuar për promovim të racizmit dhe anti-semitizmit.

Edhe i preferuari i Trump per postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare, gjenerali Michael Flynn, shihet me mosbesim për shkak të komenteve mbi Islamin, të cilin e quante një “kancer” që po përhapet në Amerikë.

Top Channel