Rudi Xhuliani, kandidat për Sekretar Shteti në administratën Tramp

21/11/2016 11:15

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, mbështetës i orëve të para i Donald Trampit, mbërriti për një takim me Presidentin e zgjedhur të Amerikës në resortin e tij të golfit në Bedminster të Nju Xhersit.

Njeriu që kaloi shumë ditë e netë duke ndjekur fushatën e miliarderit, pritet të shpërblehet me një post në ekipin e ri të Shtëpisë së Bardhë. Më i lakuar është posti i Sekretarit të Shtetit, për të cilin është përfolur gjatë edhe një kritik i hapur i manjatit, Mit Romni. Në axhendën e Trampit është dhe një takim kokë më kokë me guvernatorin e Nju Xhersit, Kris Kristi, këshilltar i ngushtë gjatë fushatës, por që u spostua nga kryesimi i ekipit të tranzicionit.

Kjo detyrë i kaloi Rejns Pribusit, që të dielën foli në emisionin “Meet The Press” të NBC-së për planet e Trampit në lidhje me vendosjen e një politike të veçante të regjistrimit të myslimanëve kur të marrë presidencën në muajin janar.

“Shikoni, nuk do të përjashtoj asgjë. Nuk është se do të kemi një regjistrim në bazë besimi fetar, por mendoj se ajo që do të përpiqemi të bëjmë do të jetë të shohim ata njerëz që janë të radikalizuar, sepse jo të gjithë janë të tillë. Por, ka disa individë të cilëve nuk do t`iu lejohet hyrja në këtë vend”, tha Pribusi.
 
Vitin e kaluar, ndërsa luftonte për nominimin e Partisë Republikane, Trampi tërhoqi një valë kritikash kur përcolli përpara kamerave idenë e një baze qeveritare të dhënash, përmes të cilës të verifikohen myslimanët në Shtetet e Bashkuara. Me mijëra amerikanë kanë shprehur “online” solidaritetin e tyre me myslimanët në mbarë vendin, që llogariten të jenë diku tek 3,3 milionë.

Top Channel