François Fillon fiton zgjedhjet partiake te republikanët francezë

21/11/2016 00:00

Raundi i parë i zgjedhjeve paraprake në Francë nxori fitues ish-kryeministrin François Fillon. Edhe pse kishte shpresa të mëdha, ish-shefi i Elizesë, Nicolas Sarkozy është eleminuar nga përpjekja për të përfaqësuar Partinë Republikane të qendrës së djathtë në presidencialet e muajit maj.

E diela solli po kështu zhgënjim për politikanin e moderuar, Alain Juppe, edhe ai ish-kryeministër. Sondazhet parazgjedhore e tregonin Juppe-n si favorit të votuesve, por situata kishte ndryshuar ditët e fundit përpara zgjedhjeve. Juppe, i cili u rendit i dyti, nuk e ka megjithatë të humbur mundësinë e fitores, pasi të dielën e ardhshme do të përballet me Fillon në balotazh.

Ai që do të triumfojë do të jetë përfaqësuesi i qendrës së djathtë në zgjedhjet presidenciale, ku me shumë gjasë do të gjendet përballë lideres së ekstremit të djathtë, Marine le Pen.

Socialistët në pushtet janë aq jopopullorë e të përçarë sa duken të pakta shanset që kandidati i majtë të arrijë t’i mbijetojë raundit të parë të muajit prill.

Top Channel