Masakra e Aleppos, qindra viktima brenda javës

20/11/2016 00:00

Forcat e regjimit sirian bombarduan ashpër Aleppon për ditën e gjashtë radhazi që prej rinisjes së fushatës ajrore, e cila ka shkaktuar thuajse 300 viktima.

Mbrojtja civile siriane, anëtarët vullnetarë të së cilës njihen edhe si helmetat e bardha dhe operojnë në zonat e luftimeve si ekipe emergjence, thanë se bombardimet e ditëve të fundit ndaj Aleppos lindore janë më të ashprat që prej nisjes së luftës civile.

Duket se mesazhi që regjimi i dërgoi banorëve të Aleppos lindore para nisjes së bombardimeve për të braktisur qytetin, ishte serioz dhe tashmë po materializohet në terren.

Ekspertët mendojnë se ashpërsia e bombardimeve është një tregues i qartë i planeve për një ofensivë nga toka, me të cilën regjimi shpreson që të shtjerë në dorë përfundimisht të gjithë qytetin e Aleppos.

Zonat lindore të këtij të fundit ndërkohë janë shndërruar në gërmadha pas muajsh bombardime nga forcat e regjimit sirian të mbështetura nga aviacioni rus.

Autoritetet siriane thonë se lufta e tyre kundër terrorizimit nuk do të ndalet deri në fitoren finale, ndërsa duhet theksuar se qeveria siriane cilëson terroristë të gjithë ata që luftojnë kundër saj. për të përforcuar këtë këndvështrim, zyrtarë sirianë thanë se të dielën 8 fëmijë dhe një femër humbën jetën si pasojë e sulmeve të rebelëve ndaj një shkolle në zonën e kontrolluar nga qeveria në Aleppo në Siri.

Të paktën 32 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit ndaj shkollës në zonën furkan të qytetit.

Top Channel