Incidente në Kolonjë; Rrihet militanti i PS. PAA publikon video: PS bleu votat

20/11/2016 00:00

Zgjedhjet në Kolonjë ishin parashikuar të qeta, por nuk ndodhi kështu. Në Çlirim, një zonë me 560 votues, votimi u ndërpre për gati dy orë në mesditë. Partia Agrare që garoi me Dritan Hajron në zgjedhje, akuzoi qeverinë për blerje votash.

“I kam vetë të filmuara, edhe në syrin tim janë dhënë lek”, shprehet ai.

Shtabi elektoral i Dritan Hajros shpërndau një video amatore ku denoncimi për blerje votash behej nga një grua, identiteti i të cilës nuk u bë i njohur. Shtabi elektoral i Dritan Hajros thotë se kjo është një provë për të ndjekur çështjen penalisht.

Partia Agrare nuk mohoi që mbështetësit e saj kishin goditur përfaqësues e Partisë Socialiste në Barmash, që ishte konflikti më i rëndë gjatë ditës, ku mbeti i plagosur djali një drejtueseje lokale të Partisë Socialiste.

“Militantët e mazhorancës janë evidentuar duke bërë presion për deklarim të hapur të votës në qendrën e votimit. Stafi i kandidatit, vëzhguesit dhe komisionerët e opozitës e kanë parandaluar, duke rezistuar. Kjo rezistencë ka sjellë edhe një konfrontim fizik, ku janë goditur përfaqësues e anëtarë të stafit të kandidatit Hajro”, u shpreh Gazmir Bizhga i PAA.

PS bëri të ditur se gjendja e të plagosurit nuk ishte e rëndë, por fajësoi opozitën për akte dhune.

Një person është kërcënuar nga disa të tjerë dhe ka patur një incident, i cili ka vijuar me dhunë. Jo thjesht verbale, por edhe fizike, nga të cilat ka mbetur i lënduar djali i kryetares së PS-së, së njësisë Barmash. I cili jo vetëm është dhunuar fizik, por edhe duke shkuar për të marrë mjekim është ndaluar nga të njëjtët persona dhe është kërcënuar, “ tregon deputetja e PS, Blerina Gjylameti.

Me mbylljen e votimeve situata i është rikthyer qetësisë së paradites, kur Agron Duka u pa i shoqëruar në Leskovik herë me socialistët dhe herë me demokratët.

Top Channel