Vota e emigrantëve, Rama shpjegon projektin për regjistrimin

20/11/2016 00:00

Në komunikimin e tij javor, kryeministri Rama tregoi sot disa nga detajet për mënyrën se si do të bëhet e mundur votimi i emigrantëve, ndërsa theksoi se qëllimi i samitit të Diasporës është që të ndërtohet një urë e re komunikimi dhe ndërveprimi.

Rama foli për një regjistrim të të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë.

“E nisëm këtë përpjekje në një shkretëtirë të vërtetë mungese të dhënash, adrese. Asnjëherë nuk janë kontaktuar institucionalisht. Qeveria dhe Diaspora do të angazhohen të krijojnë brenda 2017-ës, Këshillin Kombëtar të Diasporës, për të udhëhequr bashkëpunimin në të gjitha aspektet me Diasporën, veprimtarinë dhe për vënien në jetë të angazhimeve të marra në këtë Samit.

Qeveria ka nisur punën për regjistrimin e shqiptarëve që jeton jashtë kufijve të vendit tonë. Ky proces do të krijojë bazën për votimin në distancë të qytetarëve shqiptarë në diasporë dhe do të ndihmojë në krijimin e atlasit të shqiptarëve në botë”, u shpreh Rama.

Top Channel