Dita e aksidenteve; Policia improvizon skena përplasjesh

20/11/2016 00:00

Sot është Dita Ndërkombëtare në kujtim të viktimave të aksidenteve rrugore. Policia e Shtetit ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për të parandaluar aksidentet në të ardhmen.

“Për 10 vite janë rreth 3.184 jetë të humbura si pasojë aksidenteve automobilistike. Janë rreth 21.500 të aksidentuar të cilët kanë marrë pasoja të ndryshme nga këto aksidente dhe vuajnë këto pasoja.”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako.

Pas një sërë masash shtrënguese, si gjoba deri ne heqje patente në adresë të shoferëve të automjeteve, policia rrugore nis fushatën sensibilizueze kundër aksidenteve në rrugë.

Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit në shenjë solidariteti me viktimat e shkaktuara nga aksidentet rrugore policia vendosi shirita te zinj ne krah, ndërsa si mënyrë sensibilizimi të drejtuesve të mjeteve të cilët nuk duhet të shkelin rregullat e qarkullimit, u vendosën në shumë rrugë mjete të aksidentuara me sinjalizime për të patur kujdes.

Në një intervistë për Top Channel, shefi i Trafikut Urban për kryeqytetin flet për efektin që ka dhënë shtrëngimi i masave ndëshkimore për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

“Policia rrugore, përveç masave, me format e ndryshme policore çdo ditë mundohet të përcjellë një mesazh të qartë për të gjithë përdoruesit të rrugës në formën e kontrollit, këshillimit, por edhe ndëshkimit, se sa e rëndësishme është për këdo respektimi i normave të sjelljes dhe rregullave të qarkullimit rrugor”,U shpreh Taulant Gjoka, Shefi i Trafikut Urban në Tiranë.
Ndërsa shefi i komisariatit të policisë na njeh me bilancin e aksidenteve rrugore.

Në tremujorin e fundit të vitit 2016 kemi një rritje të aksidenteve në krahasim me tre mujorin e tretë të vitit 2015. Por ajo çka ajo të thoja është se këtë aksidente kanë qenë me pasoja të lehta për qytetarët që kanë qenë protagonistë të këtyre aksidenteve”, u shpreh Ervin Hasrama, Shef i komisariatit të policisë rrugore.

Një fushatë e tillë sensibilizuese nuk kishte si të mos përfshinte edhe fëmijët, nxënësit e shkollave me qëllim edukimin e tyre për të respektuar rregullat e sigurisë rrugore.

Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Arsimit nxënësit praktikuan edhe disa prej rregullave të qarkullimit rrugor, për të parandaluar aksidentet në rrugë.

Top Channel