Atalanta shokon Romën, Sampdoria përmbys në 6 minuta

20/11/2016 00:00

Një ndeshje për t’u harruar ka qenë përballja e Romës ndaj Atalantës, e cila ka arritur të marrë 3 pikët ndaj kryeqytetasve duke përmbysur rezultatin me një super lojë në pjesën e dytë.

Në pjesën e parë është zhvilluar një lojë e balancuar mes dy ekipeve, por me Romën që kalon në avantazh falë penalltisë të ekzekutuar në mënyrë perfekt nga ana e Diego Perotti në të 40’.

Ndërsa në 45 minutat e dyta Roma ka qenë inekzistente, me zikaltrit e Atalantës që gjejnë golin e barazimit në të 60’ me anë të Caldaras. Pas këtij momenti rastet për shokët e skuadrës së Etrit Berishës nuk kanë të munguara, por devijimet e mbrojtësve të Romës ruajtën barazimin deri në të 90’ kur Kessie ktheu në gol një penallti të fituar nga Alejandro Daro Gomez.

Me këtë fitore, Atalanta ngjitet në vendin e tretë me 1 pikë pas Romës së vendit të dytë. Po me aq pikë janë edhe Lacio, e cila fitoi lehtësisht 3-1 ndaj Xhenovës dhe Milani i cili përballet sonte në mbrëmje me Interin.

Por Atalanta nuk është i vetmi ekip që ka surprizuar këtë të djelë në Seria A,  edhe pse ka qenë në disavantazh të dyfishtë Sampdoria ka arritur të përmbysë rezultatin brenda 6 minutave, duke fituar 3-2 ndaj Sassuolos.

Top Channel