Zgjedhjet në Kolonjë, ASHE: Dënojmë çdo përpjekje për dëmtimin e procesit

20/11/2016 00:00

Pas deklaratave nga Partia Demokratike se në Kolonjë po zhvillohet presion nga polica dhe se po tentohet blerja e votës, ka ardhur edhe reagimi nga shtabi i kandidatit të ASHE, Ilia Stefo, ku dënohen përpjekjet për të dëmtuar procesin.

Me bindjen se vullneti i votuesve është në mbështetje të plotë të Ilia Stefos dhe të Aleancës për Shqipërinë Europiane, në reagim theksohet se: Ky vullnet nuk mund të cënohet nga ndonjë rast i izoluar dhune, që ka për inspirim urdhrat nga Tirana të Partisë Dëmokratike për të dëmtuar standardin e zgjedhjeve dhe të zbatuara nga mercenarë të ardhur nga qytete të tjera të Shqipërisë.

Më tej, në reagim, vlerësohet se populli i Kolonjës nuk do bjerë pre e provokatorëve.

“Populli i Kolonjës është një popull që shquhet për mikpritjen, vlerat, traditën, kulturën; dhe jemi të bindur se nuk do të provokohet nga prezenca e këtyre mercenarëve të dhunshëm . Ne dënojmë çdo përpjekje për dëmtimin e procesit zgjedhor nga kushdo qoftë dhe i bëjmë thirrje Partisë Demokratike të heqë dorë nga deklaratat e papërgjegjshme përmes të cilave kërkon të krijojë alibinë për humbjen e radhës, ndërkohë që është shumë ë rëndësishme që votuesit të vazhdojnë t’i drejtohen qendrave të votimit për t’i dhënë Kolonjës drejtimin e duhur dhe në shërbim të Kolonjarëve.”, thuhet në reagimin e shtabit të kandidatit Ilia Stefo.

Gjithashtu në deklaratën e shtabit zgjedhor të kandidatit të ASHEE, vlerësohet se pjesëmarrja deri tani e votuesve ka qenë shumë e kënaqshme, ku një falënderim i veçantë ka shkuar për ata votues që janë kthyer në Shqipëri për të hedhur votën e tyre.

Top Channel