Klosi në meshën e emërimit kardinal të Dom Ernest Simonit

20/11/2016 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ishte i pranishëm në meshën e posaçme të emërimit Kardinal të Dom Ernest Simonit.

“Në meshën e veçantë për emërimin e 17 kardinalëve të rinj nga Ati i Shenjtë. Mes tyre edhe Ernest Simoni, prifti shqiptar që dy vjet më parë përloti me rrëfimin e tij Atin e Shenjtë, për vuajtjet gjatë regjimit komunist. Sakrificat e klerikut shqiptar në mbrojtje të lirisë së besimit kanë mbetur të paharrueshme për Atin e Shenjtë. Ndryshe nga klerikët e rinj dhe ndryshe nga rituali normal, kur të gjithë i puthin dorën Papës, ishte Ati i Shenjtë ai që u përkul t’i puthte dorën Dom Ernest Simonit. Një gjest i pazakontë, që na bëri ne dëshmitarë dhe përjetues të emocioneve të jashtëzakonshme për njeriun e madh shqiptar që është sot dëshmia e gjallë e popullit tonë për liri! Si përfaqësues i qeverisë shqiptare, pata fatin dhe nderin të jem pjesë e kësaj meshe të posaçme”, shkroi ministri në Facebook.

“Kapelja dhe unaza e Kardinalit për Ernest Simonin janë nderimi i sakrificës për vuajtjet e klerit shqiptar, janë vlerësimi për vokacionin perëndimor të shqiptarëve, janë momente reflektimi për të gjithë. Nderimi nga Vatikani për kardinalin shqiptar, për të gjithë ne është gjithashtu moment riangazhimi dhe përkushtim i plotë në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit tonë europian, në çuarjen më tej të vlerës sonë madhore të harmonisë fetare”, shtoi Klosi.

Top Channel