Zgjedhjet në Kolonjë, denoncohen incidente dhe tentativa për blerje votash

20/11/2016 15:25

Mbi 15 mijë votuesit e Kolonjës janë ftuar të rizgjedhin kryebashkiakun e tyre. Qendrat e votimit u hapën normalisht që në mëngjes dhe deri në orën 13:00 kishin votuar mbi 38% e zgjedhësve. Numri më i madh i votuesve është vërejtur në njësinë administrative Leskovik, ku sot kishte edhe prani të shtuar të përfaqësuesve politikë të mazhorancës dhe opozitës.

Pas nisjes pa probleme të votimit, raportohen incidentet e para. Socialistët denoncuan dhunimin e një personi në Barmash, ndërsa demokratët thonë se po tentohet blerja e votave. Në një qendër votimi, procesi u ndërpre.

Edi Paloka tha se ka disa incidente gjatë procesit, që, sipas tij, “janë një reagim i një force që po ndjen humbjen”.

“Në zona si Kolonja, Erseka dhe Leskoviku, ku kriminaliteti është në nivelet më të ulta, të bëhet presion me polici, nuk e kuptoj. Është e njëjta skemë si në Dibër”, u shpreh Paloka.

Ndërkohë, Taulant Balla e ka vlerësuar procesin e votimit në Kolonjë: “Po zhvillohet një proces shumë i mirë dhe demokratik. Jam i sigurtë që qytetarët do të mbështesin vazhdimin e projekteve për zhvillimin e kësaj zone. Jo vetëm në infrastrukturë, por do të punohet edhe për turizmin”.

Top Channel