Saga kriminale “Çiço”; Një tjetër i vrarë, dyshohet si porositës i vrasjes në Tiranë

20/11/2016 14:30

Një 34-vjeçar nga Telepena është ekzekutuar sot në një pritë të organizuar në rrugën Fier-Seman. Nilgert Pata u qëllua me breshëri automatiku. Viktima jetonte në ilegalitet prej muajit gusht kur i kishte shpëtuar një tjetër atentati. Policia dyshon se vrasja e tij ka lidhje me vrasjen e Elton Çiços, për shkak të lidhjeve që kishte me autorët e këtij ekzekutimi.

Nelgert Pata është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Ai jetonte ne ilegalitet pasi ishte shpallur në kërkim prej 4 muajsh nga policia e Tiranës për akuzën e moskallëzimit të krimit.

Më 21 gusht të këtij viti 34-vjeçari  i shpëtoi një atentati në rrugën e Kavajës, teksa kishte vetëm dy javë që kishte dale nga burgu ku kishte vuajtur dënimin për shfrytëzim prostitucioni.

Pata u qëllua me një armë të gjatë, të dyshuar snajper duke u plagosur lehtë ne vesh sapo zbriti nga një automjet “Mercedes-Benz” i blinduar me targa ruse.

Në atë kohë policia dyshoi se ngjarja në fjalë erdhi si pasojë e veprës penale qe kishte bërë, por edhe për shkak të miqësisë së tij me autorët e vrasjes së Elton Çiços, i ekzekutuar në një lokal më 1 maj të këtij viti nga Jani Alia dhe Renato Milloshi, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.

Por mesditën e së dielës 34-vjeçari Nelgert Pata nga Tepelena, ishte duke udhëtuar se bashku me një tjetër person nga Delvina dhe në vendin e quajtur Qenas në aksin rrugor Fier- Seman janë qëlluar me armë zjarri automatike kallashnikov.

34 vjeçari vdiq në vend, ndërsa miku i tij i plagosur u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia gjeti ne fshatin Zhupan, pak kilometra larg vendngjarjes nje automjet te djegur tip “Mercedes-Benz”, ku u gjetën edhe dy armë automatike, që mendohet të jenë përdorur nga autorët e këtij atentati.

Për momentin pista më e fortë që po heton policia për ekzekutimin e Patës është ajo për shkak të rivalitetit mes bandave të njohura si “Çunat e Tepelenës”  të drejtuara nga Jani Alia dhe Elton Çiço.

Një histori disa vjeçare me disa atentate dhe të vrarë, më i fundit, plagosja e 29 vjeçarit, Andi Mustafaraj, pranë ish-Ekspozitës në kryeqytet 1 muaj më parë.

Mes Aliajt dhe Çiços kishte patur një konflikt që sipas policisë e kishte origjinën te konfliktet për trafikun e drogës dhe prostitutave. Këtë lidhje ka bërë edhe policia në ngritjen e pistave të hetimit për vrasjen e ndodhur mesditen e së dielës.

Top Channel