Zgjedhjet franceze, konservatorët po votojnë për të zgjedhur kandidatin zyrtar

20/11/2016 00:00

Francezët i janë drejtuar qendrave të votimit për zgjedhjet paraprake të stilit amerikan, ku do të përcaktohet kandidati i qendrës së djathtë në presidencialet e muajit maj. Shtatë janë emrat në garë për të përfaqësuar Partinë Republikane në betejën për çelësat e Elizesë, mes të cilëve ish-Presidenti Nicolas Sarkozy dhe dy ish-kryeministrat Alain Juppe e François Fillon.

Fituesi i paraprakeve konservatore me shumë gjasë, në përballjen e madhe të Presidencës do t’i duhet të luftojë me lideren e ekstremit të djathtë, Marine le Pen. Juppe, aktualisht kryetar bashkie i Bordosë, i kryeson prej muajsh sondazhet dhe pëlqehet gjerësisht nga francezët për humorin e hollë dhe qëndrimin e moderuar ndaj çështjeve te nxehta si komuniteti mysliman dhe emigracioni.

“Unë i them JO ndasive. I them JO demagogjisë që shtyn francezët kundër njëri-tjetrit, elitat kundër popullit. Këto gjëra nuk çojnë asgjëkundi përveçse drejt pengesash që bëhen edhe më të rrezikshme. Objektivi im, ambicia, ëndrra ime është të pajtoj Francën përmes dialogut dhe të vërtetës, e kjo është krejt e kundërta e populizmit”, tha Juppe.
 
Epërsia e tij ditët e fundit megjithatë është tkurrur disi. Shumë francezë pyesin nëse fitorja e Donald Trumpit do të ndikojë edhe zhvillimet politike të vendit të tyre, ndërkohë që i ka dhënë krahë elementëve të ekstremit të djathtë si Le Penn, që tani vonë inauguroi selinë e fushatës së saj në Paris, jo larg Pallatit Presidencial. Ashtu si amerikanët, edhe shumë francezë ndihen të lodhur me “status quo”-në e shqetësohen për ekonominë, vendet e punës apo përhapjen e ekstremizmit islamik.

Top Channel