Veliaj nderon familjet tiranase që strehuan hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

20/11/2016 00:00

Përmes një ceremonie të veçantë, Bashkia e Tiranës shpërndau simbolin e qytetit për familjet tiranase, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore mikpritën në shtëpitë e tyre familjet izraelite. Me këtë rast, në mjediset e Muzeut Kombëtar, u çel ekspozita me fotografi të familjeve izraelite që u strehuan në shtëpitë tiranase, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nderoi me simbolin e qytetit nëntë familjeve tiranase, si dhe dy medaljone mirënjohje për shkrimtarët, që kanë shkruar për familjet hebreje.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj tha se shembuj të tillë vlejnë për t’u kujtuar nga historia, në mënyrë që jo vetëm të mos përsërisim gabimet që mund të kenë ndodhur në të kaluarën, por edhe të ndërtojmë institucionin e mirënjohjes. Ai shprehu bindjen se qyteti është një institucion që vazhdon, pavarësisht se kush e drejton në një moment të caktuar, dhe se është në nderin e këtij qyteti që teksa përkujtohet çlirimi i Tiranës, të kujtohet edhe kjo ngjarje e veçantë. “Sot nuk është e gjithë fotografia. As dje nuk është e gjitha, por sot është një pjesë e vogël, e cila kur vendoset në të tërën në kontekstin e madh, është ndoshta një nga stolitë më të bukura, të gjithë kësaj përpjekje për liri, e përpjekjes për të ruajtur dinjitetin njerëzor, pavarësisht shtetësisë apo besimit fetar”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se sot po jetojmë në një kohë ku ka shumë urrejtje, por bota e civilizuar na ka treguar që nuk janë këto politikat ndërtuese. “Sot jetojmë në një kohë ku kemi shumë urrejtje dhe sot kemi politika që investohen në politikën e urrejtjes, në dhunë ndaj tjetrit që duket ndryshe, që beson ndryshe, që flet ndryshe, që ka lindur ndryshe, që e ka emrin ndryshe, që i falet një zoti tjetër. Unë besoj se këto lloj politikash, sigurisht që kapitalizojnë pakënaqësi të ndryshme, por bota e civilizuar na ka treguar se nuk janë politika ndërtuese ato që bazohen te histeria dhe urrejtja ndaj tjetrit, që mund të jetë ndryshe për një arsye të caktuar. Në ditët e sotme, duhet të kuptojmë se ditët më të errëta të njerëzimit, por edhe të kombit tonë, ishin ato ditë kur i nxirrnim sytë njëri-tjetrit për të treguar diferencën, ndërkohë ditët më të lavdishme kanë qenë ato ditë kur kemi punuar bashkë për gjërat që na bashkojnë dhe për gjërat që i kemi të ngjashme”, theksoi Veliaj.

Nisur edhe nga ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, e cila u zhvillua pa asnjë incident në vendin tonë, kryebashkiaku Veliaj theksoi se gjërat që na bëjnë bashkë janë shumë herë më të forta. “Megjithatë, shumica e fokusit nuk ishte te fitorja, por te fakti se megjithëse kishte pasur disa plane për incidente, gjithçka u menaxhua në mënyrë profesionale, si nga institucionet në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Nga mikpritja që u bë në Shqipëri, mënyra se si kryetari i Komunitetit Mysliman doli nga rutina dhe komunikimi i zakonshëm për t’u siguruar që ekipi ishte i mirëpritur, dëshmon se përtej disa përballjeve në sport, ekziston një fije shumë e fortë që na lidh fort. Ky lloj konfirmimi, në fakt më inkurajon shumë sepse kuptoj që lidhjet, gjërat që na bëjnë bashkë, janë shumë herë më të forta”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi se marrëdhëniet midis njerëzve janë marrëdhënie që nuk i konkurron dot askush, pasi janë ato realisht lidhjet reale.

Top Channel