Indi, 100 viktima nga dalja e një treni nga shinat

20/11/2016 00:00

India tronditet nga një tjetër aksident i rëndë hekurudhor, skenë e të cilit është bërë po shteti i Utar Pradeshit, ku marsin e një viti më parë vdiqën në rrethana të ngjashme 39 vetë e u plagosën 150 të tjerë. Gati 100 vetë janë këtë herë viktimat e daljes nga shinat të një treni pranë qytetit të Kanpurit.

Mbi 150 raportohet të jenë të plagosurit. Ngjarja ndodhi pak pas orës tre të mëngjesit, me orën lokale.

Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi daljen nga shinat të 14 vagonëve të trenit ekspres. Ekipet e shpëtimit po përdorin mjetet e rënda për të çarë metalin e tyre të deformuar e për të nxjerrë të mbijetuarit. Shumica e viktimave ndodheshin në dy vagonët afër lokomotivës që është përmbysur e dëmtuar rëndë. Të paktën 250 efektivë policie mbërritën në zonë shumë shpejt pas aksidentit.

Ministri i Hekurudhave, Suresh Prabu shkroi në rrjetin social Tëitter se ndaj personave përgjegjës do të merren masat më të ashpra të mundshme. Duke theksuar se po e monitoron personalisht situatën, ai kërkoi nisjen e menjëhershme të një hetimi mbi aksidentin tragjik, ndërsa njoftoi se të afërmit e të vdekurve dhe të plagosurit do të marrin kompensim nga shteti.

Një pasagjere, vagoni i së cilës nuk devijoi, i tha Associated Press se treni ka qenë duke lëvizur me shpejtësi normale. Pak përpara përplasjes, ai ka ndaluar në mënyrë të befasishme e paskësaj ishte nisur sërish.

Kanpuri është një nyje e rëndësishme hekurudhore nëpër të cilën kalojnë çdo ditë me qindra trena. Aksidentet hekurudhore janë të zakonshme në Indi, ku pjesa më e madhe e sistemit hekurudhor është tejet e vjetëruar.

Top Channel