Samiti i Diasporës, Tahiri: Regjistrim vullnetar të shqiptarëve

19/11/2016 00:00

Gjatë një prej disa  paneleve të Samitit të Diasporës që u organizuan në Tiranë, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri bëri thirrje për regjistrimin vullnetar të shqiptarëve kudo që janë.

Sipas ministrit, kjo do të çojë drejt realizimit të së drejtës së votës edhe për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë.

“Sot ne e kemi të pamundur të japim shërbime për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, veç dritares që ofrojnë ambasadat dhe konsullatat. Mundësia për të regjistruar shqiptarët e Shqipërisë vetëm duke shfrytëzuar kompjuterin e shtëpisë apo një smartphone është një mundësi shumë e madhe dhe e vyer për ne”, tha Tahiri.

Sipas tij, “kjo është mënyra më e mirë për të pasur shërbime cilësore, por mbi të gjitha për të pasur një zë të fuqishëm në vendimmarrje nga të gjithë shqiptarët që janë të interesuar për fatet e vendit të tyre”.

“Dhe këtu e kam fjalën padyshim për të drejtën themelore, që është e drejta e votës”, theksoi Tahiri.

Top Channel