Pranga 2 grekëve me kanabis në kufirin greko-shqiptar

19/11/2016 00:00

Departamenti i Antidrogës greke në bashkëpunim me policinë kufitare të Mesopotamisë ka arrestuar dy shtetas grekë në zonën e Kosturit, pasi transportonin me automjetin me të cilin udhëtonin 22 kg lëndë narkotike.

Të arrestuarit, një burrë 31 vjeç dhe një grua 20 vjeçe nuk janë ndalur në një prej blloqeve policore për kontroll dhe janë larguar me shpejtësi duke hedhur në rruge tre thasë me lëndë narkotike.

Por në një distancë të afërt ata janë ndaluar nga një patrullë tjetër policie, e cila ka kryer arrestimin e tyre, ndërsa agjentët e Antidrogës kanë gjetur edhe 3 thasët me 21 pako hashash. Sipas deponimeve të para në hetuesi rezulton se sasia e drogës në fjalë ka mbërritur nga Shqipëria.

Ndërkohë, në një zhvillim të ngjashëm, një 25-vjeçar grek është arrestuar disa ditë më parë në përpjekje për të transportuar në Holandë nga Greqia rreth 79 kg kanabis sativa.

Arrestimi është kryer në zonën e Aitoloakarnanisë, në Greqinë qendrore nga Departamenti i Antidrogës së Athinës, e cila ka bërë publike orët e fundit se kjo ngarkesë ishte pjesë e një sasie prej 200 kg lëndë narkotike të cilën 25-vjeçari e kishte marrë nga një grup trafikantësh shqiptarë në zonën e Janinës.

Sasia e parë prej 120 kg ishte transportuar ditë më parë për llogari të këtij grupi në një shtet të Europës perëndimore, me anë të kompanisë së tij të transportit.

Sipas burimeve policore, Depertamenti i Antidrogës është vënë në gatishmëri të plotë pas dhjetëra rasteve të përsëritura në kufijtë greko-shqiptarë të trafikimit të sasive të mëdha të narkotikëve.

Top Channel