Dom Ernest Simoni mban meshën e parë si Kardinal

19/11/2016 00:00

Vetëm pak orë pas emërimit si Kardinal, Ernest Simoni ka mbajtur meshën e parë pranë varrit të Shën Pietrit. Ai ka treguar për Top Channel rëndësinë e këtij momenti për atë vetë, por edhe për Shqipërinë.

“Një moment i rëndësishëm për atë çka mund të bëj unë për me dash të madhin Zot, për të përhapur dashninë e Zotit, dashninë vllazënore në popullin tonë. Me iu lut të gjithë njerëzve që vuajnë, jetojnë në varfëri se Zoti është dashni, t’i japin dashninë e vetë”, ka thënë Dom Simoni.

Një moment të rëndësishëm për Shqipërinë e ka cilësuar dhe Imzot Massaffra, sipas të cilit ky ishte një nderim që i bëhej të gjithë atyre që kanë vuajtur.

“Krijimi i kardinalit është një gjest vërtet i madh, duke kujtuar se më parë kanë qenë dy kardinalë, të dy të burgosur, dy besnikë të kishës dhe kombit. Nesër jemi në festën e Krishtit Mbret dhe kjo ditë shkon shumë mirë me të. Të gjithë martirët kanë vdekur duke bërtitur ‘rroftë Krishti mbret’, ‘rroftë Shqipëria’”, është shprehur Imzot Massaffra.

Top Channel