Spanja me sytë nga derbi i Madridit

19/11/2016 00:00

Derbi mes Atletico Madrid dhe Real Madrid është një prej sfidave të mëdha të kësaj jave në futbollin evropian. Në ndeshjen që do të luhet në Vicente Calderon, opsioni i vetëm për të dyja skuadrat është fitorja. Atletico Madrid, vjen në këtë përballje pas dy disfatave radhazi jashtë fushe, me Sevillan dhe Real Sociedad dhe tashmë diferenca me Realin e Madridit është 6 pikë.

Lajmi i mirë për Atletico Madrid në këtë derbi me Los Blancos është prania e Antoine Griezmann. Sulmuesi francez arriti të riaftësohej në kohë pas një dëmtimi me përfaqësuesen transalpine dhe pritet të jetë kërcënuesi kryesor për mbrojtjen e Real Madrid, që se fundmi ka qene e brishtë.

Bilanci i 6 ndeshjeve të fundit derbi në La Liga anon nga ana e Atletico Madrid me 4 fitore dhe 2 barazime. Është pikërisht Atletico Madrid që i ka shkaktuar humbjen e fundit në kampionat Realit të Zidane, në 27 shkurt. Pas kësaj sfide Reali ka arritur të shënojë 20 fitore dhe 3 barazime.

Për Real Madrid, rikthehet në fushën e lojës kapiteni Sergio Ramos, por do të mungojnë Casemiro e Toni Kroos në mesfushë. Po kështu nuk do të jetë as Alvaro Morata për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjet me kombëtaren spanjolle. Karim Benzema është stërvitur së bashku me skuadrën, por prania e tij në fushën e lojës është ende në dyshim.

Top Channel