PDIU për shoferët e dënuar në Greqi: Akt burracak

19/11/2016 00:00

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndja dënimit të dy shoferëve shqiptarë që transportonin ngarkesë me abetare për fëmijët e komunitetit shqiptar në Greqi.

PDIU e quan një akt burracak të shtetit grek, “si përpjekje e drejtuesve të cirkut politik në Greqi, që të pafuqishëm për të ndaluar përparimin e çështjes çame,po i hedhin turmave të paditura dy gladiatorë imagjinarë të armikut. Gladiatorët në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy shoferë që kryejnë detyrën normale apolitike të dikujt që është transportues malli dhe kaq”.

“Ky akt absurd zemërimi ndaj abetareve shqip në mes të Europës, do të turpërojë autorët e tij, kur ai të mësohet anembanë mediave, kancelarive dhe opinionit publik europian. Abetaret, ushqim mendjeje për 6 vjeçarët nuk përbëjnë rrezik për integritetin territorial të Greqisë, edhe kur në to mësohet se shqiptarët kanë jetuar dikur në territore që sot janë të saj”, thuhet në njoftimin e PDIU.

PDIU i kërkon autoriteteve shqiptare të veprojnë me qetësi, por me reciprocitet ndaj këtyre veprimeve, duke ndaluar çdo propagandë shoviniste në çdo formë që vjen prej një vendi fqinjë.

Gjykata e Janinës ka dënuar në mungesë me 30 muaj burg me kusht për 3 vjet dy shoferët e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që u arrestuan disa ditë më parë nën akuzën se transportonin libra me karakter propagandistik kundër Greqisë.

Top Channel