Thaçi: Samiti i ardhshëm i diasporës, në Prishtinë

18/11/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar një iniciativë të jashtëzakonshme organizimin e Samitit të Diasporës shqiptare, e cila është bashkuar këto ditë në Tiranë.

“Samiti i Diasporës i organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbledhur sot mbi 1.000 përfaqësues të diasporës nga 40 shtete të ndryshme të botës. Qysh nga koha e Rilindjes Kombëtare, deri te shpallja e pavarësisë, diaspora shqiptare ka qenë një prej shtyllave kryesore të përpjekjeve të kombit tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, u shpreh Thaçi në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Presidenti i Kosovës vlerësoi se, diaspora sot ka nevojë për një riorganizim në mënyrë që të shndërrohet në një burim të zhvillimit social dhe ekonomik.

“Ne të gjithë duhet të punojmë që diaspora shqiptare, me potencialin e madh që ka, tani të shndërrohet në partner të zhvillimit socio-ekonomik, arsimor, profesional, kulturor e sportiv të shteteve tona”, tha Thaçi, i cili shtoi se pas Tiranës, samiti i radhës i diasporës shqiptare do të mbahet në Prishtinë.

Top Channel