“Bishat fantastike” në Pekin

18/11/2016 00:00

Kasti i aktorëve të “Bishave fantastike” , filmi që ndjek linjën e të famshmit “Harry Potter”, ndodhet në Pekin ku ishte i pranishëm në premierën e datës 15 nëntor. Eddie Redmayne interpreton Newt Scamander, një personazh të cilin aktori e sheh si tejet të ndryshëm nga vetja.

“Newti nuk është si unë. Mua më pëlqejnë njerëzit dhe përpos kësaj, jam njeri që shqetësohem shumë për çdo gjë. Newti është i qetë dhe ka një moment në film kur i kthehet Jacobit e i thotë se shqetësimi nënkupton vuajtje. Dhe unë nisa të meditoj mbi këtë gjë. Kështu Newti u kthye në terapeutin tim”, tha Eddie Redmayne, aktor.

Një nga sfidat me të cilat u përball gjatë realizimit të filmit Katherine Waterston ishte të ndihej krejtësisht e huaj me njerëz të cilët i njihte tashmë.

“Historia në film është diçka që ndodh brenda disa ditësh në një kohë kur xhirimet kanë kërkuar më shumë se 6 muaj. Përgjatë kësaj kohe u familjarizuam shumë me njëri-tjetrin dhe ishte e vështirë ta shikoje pas kësaj si të huaj njeriun që kishe përballë”, u shpreh Katherine Waterston, aktore.

Regjisori David Yates  këmbënguli tek 3D-ja sepse kërkon që publiku të zhytet në film.

“3D-ja për mua është si muzika. Ti nuk do që ajo të të shkëpusë nga filmi, ti kërkon që të të rrëmbejë, të të përfshijë e të të dhurojë aq shumë emocion. Patjetër që edhe vizualisht ndihmon shumë”, tha David Yates, regjisor.

Premierën botërore, “Bishat fantastike” e pati në Nju Jork në 10 nëntor e pas kësaj, vijoi shfaqja në pjesë të tjera të botës.

Top Channel