Kërcënimi për klimën, bota sfidon komentet e Trump

18/11/2016 00:00

Delegatët e më shumë se 190 vendeve pjesëmarrëse në samitin e Marokut për klimën, bënë një thirrje urgjente për masa kundër ndryshimeve klimaterike. Shpallja e Marakeshit bën thirrje për angazhimin serioz politik në luftën kundër ngrohjes globale.

Analistët thonë se kjo lëvizje është një përgjigje e përbashkët e këtyre vendeve ndaj kërcënimin të presidentit të zgjedhur Donald Trump që të tërheqë SHBA nga pakti i klimës së Parisit. Aktivistët thonë se deklarata e përbashkët e kaq shumë vendeve tregon qartë konsensusin global për këtë çështje.

Premtimi i mëhershëm i Trumpit për të tërhequr SHBA nga marrëveshja e Parisit dhe për t’i dhënë fund mbështetjes financiare amerikane për masat kundër ndryshimeve klimaterike, i dha forcë reagimi vendeve që po zhvillojnë takime në Marok.

Në dokument shkruhet se e gjithë bota është angazhuar kundër ngrohjes globale dhe ky vrull duhet shfrytëzuar nga politikanët. Megjithatë, të ndërgjegjshëm se planet e paraqitura nga shumë vende nuk janë të mjaftueshme për të ruajtur botën nga ngrohja globale, deklarata kërkon një rritje të ambicieve për të reduktuar gazrat serë.

Zyrtarë në takim thanë se liderët botërorë nuk do të lejojnë Donald Trumpin që të dëmtojë punën e rëndësishme që po bëhet për të garantuar të ardhmen e sigurt të planetit dhe solidariteti i madh botëror në këtë kuadër është garancia më e madhe.

Top Channel