Greqi, gurë dhe molotov kampit të refugjatëve në ishullin Kios

18/11/2016 00:00

Persona të paidentifikuar kanë sulmuar me gurë, bomba molotov dhe fishekzjarre tendat e një kampi emigrantësh në Souda, në ishullin e Kiosit, duke detyruar rreth 150 persona të largoheshin.

Bëhet fjalë për natën e dytë të dhunës pranë kampit të ishullit, ku në total ndodhen rreth 4 mijë emigrantë. Tenda të shumta, përfshirë një nën të cilën ndodheshin 50 vetë, mbetën të dëmtuara nga flakët.

Por përveç flakëve, disa refugjatë u dëmtuan edhe nga gurët e hedhur. Roland Schoenbauer, një zëdhënës i UNHCR-së, ka deklaruar se një refugjat sirian u godit në kokë nga një gur, duke marrë lëndime serioze.

“Njerëzit janë të trembur. Është e vështirë t’i bindësh që të kthehen në kamp”, ka deklaruar Schoenbauer. Sipas tij, situata mbetet e tensionuar dhe UNHCR nuk ka arritur që të zëvendësojë tendat e dëmtuara.

“Vullnetarët na kanë ndihmuar me tenda të vogla, por shumë emigrantë nuk do të kenë një vend të thatë për të kaluar natën”, tha Schoenbauer.

Zyrtari i ka bërë thirrje policisë greke që të shtojë patrullimet në zonë, për shkak të frikës dhe pasigurisë që ekziston atje.

Rreth 60 për qind e refugjatëve që ndodhen në kampin Souda janë sirianë, 20 për qind irakenë, 10 për qind afrikano-veriorë dhe 10 për qind nga vende të tjera.

Top Channel