“Eksod” në MLS, largohet edhe Robbie Keane

18/11/2016 00:00

Major League Soccer po përballet me një periudhë largimesh. Pas Frank Lampard dhe Steven Gerrard, ai që vendosi t’i thotë lamtumirën kampionatit amerikan të futbollit është Robbie Keane i cili është në përfundim të kontratës së tij me Los Angeles Galaxy.

Ai që e konfirmoi largimin e futbollistit irlandez është trajneri i skuadrës kaliforniane, Bruce Arena i cili e vlerësoi në maksimum 36-vjeçarin.

“Robbie Keane ka qenë një lider i padiskutueshëm tek ne -tha Arena- me të në skuadër kemi fituar kampionate. Është një sulmues prolifik dhe një nga lojtarët më të mirë në historinë e kampionatit amerikan. Me të kemi përjetuar 6 sezone të mrekullueshëm. Los Angeles Galaxy dhe tifozët i detyrohen shumë Robbie Keane për kontributin që ai dha për këtë klub”.

Robbie Keane, gjatë periudhës së aktivizimit të tij me Los Angeles Galaxy, ka arritur të fitojë 3 tituj kampionë në MLS, ndërkohë që në 2014 ai u shpall edhe si futbollisti më i mirë i vitit.

Së fundimi, Robbie Keane deklaroi edhe tërheqjen përfundimtare nga përfaqësuesja irlandeze.

Top Channel