Dhuna në familje, në Tiranë denoncohen 4 raste në ditë

18/11/2016 00:00

Në policinë e Tiranës mesatarisht denoncohen 4 raste në ditë për dhunë në familje. Blutë e kryeqytetit konstatojnë një ndërgjegjësim të qytetarëve kundrejt këtij fenomeni shqetësues për shoqërinë.

“Gjatë 10 muajve janë plotësuar 625 kërkesë padi për urdhër mbrojtjeje nga të cilat mbi 200 janë shoqëruar me procedime penale”, thotë Lindita Lushaku, Specialiste e Dhunës në Familje.

Një trendi në rritje është konstatuar edhe sa i përket denoncimeve të të miturve.

“Më shumë denoncojnë gratë sesa burrat, por kemi edhe denoncime nga të mitur të cilët kanë ardhur në komisarite dhe në drejtorinë e policisë. Kemi 15 raste ku janë plotësuar kërkesë padi për urdhje mbrojtjeje ndaj të miturve që janë dhunuar në shtëpi, shoqëri apo shkollë”, deklaron Besmira Muçaj, psikologe në Policinë e Tiranës.

Në një rast denoncimi policia merr një masë paraprake për të parandaluar fatalitetet.

“Kemi patur raste kur dhunuese posedonte armë për shkak të funksionit ose e kishte me leje, armë gjahu. Në këto raste bëhet menjëherë bllokimi i armës deri në përfundim të procedurave”, shprehet Lindita Lushaku.

Policia apelon qytetarët të denoncojnë çdo formë dhune qoftë ajo fizike apo psikologjike që cënon integritetin e individi, pasi pasojat mund të jenë fatale.

Top Channel