Zotimet e Arqipeshkvit; rinia, harmonia dhe varfëria

18/11/2016 00:00

Një ditë pas emërimit si arqipeshkv nga Papa Francesku, Imzot Frendo iu drejtua të rinjve duke u bërë një ftesë të qartë.

“Më vjen shumë keq kur shoh shumë të rinj të cilët kanë vetëm një ëndërr, të shkojnë jashtë shtetit, duke menduar se vendet perëndimore janë një parajsë tokësore. Por le të çmojmë më shumë aspekte të bukura të traditës historisë dhe kulturës tonë. Është mirë të kujtojmë fjalët e ish-presidentit Kennedy ‘Mos pyesni çka mund të bëjë Amerika për ju, por pyesni çka mund të bëni ju për Amerikën”, tha Arqipeshkv i Tiranës dhe Durrësit, imzot Frendo.

Imzot Frendo i quajti me fat shqiptarët, kur foli për harmoninë fetare, duke rezervuar këtu një vlerësim edhe për politikanët shqiptarë.
 
“Kemi një traditë harmonie të sinqertë mes besimeve të ndryshme sepse politikanët shqiptarë nuk kanë manipuluar kurrë asnjë besim për qëllime politike si fatkeqësisht ka ndodhur në vende të tjera. Kur dikush kryen vepra kriminale në emër të besimit ky është karikaturë e besimit. Si Imzot Rrok Mirëdita shpresoj të jem vegël për të nxitur harmoninë ndërfetarë në vendin tone”, theksoi ai.

Imzot Frendo kërkoi të respektohen grupet minoritare duke përmendur komunitetin rom dhe më shumë vëmendje ndaj jetimëve dhe të varfërve.

“Unë vetë e di personalisht cfarë do të thotë të jesh jetim dhe i varfër kam qenë jetim që në moshë të vogël dhe po ashtu kam përjetuar varfërinë…kjo përvojë më ka ndihmuar të ndihem më afër atyre që kalojnë këtë eksperience”, theksoi Imzot Frendo.

Përurimi i misionit të imzot Frendos do të bëhet të shtunën në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet.

Top Channel