Obama mbështet Merkelin

18/11/2016 00:00

Mbështetja e Barack Obama ndaj grave në politikë duket e pareshtur. Në ditët e tij të fundit si President, shefi i Uashingtonit shprehu vlerësimin e madh për kancelaren gjermane Angela Merkel.

Në profilin zyrtar të qeverisë gjermane është postuar një video ku ai e konsideoron Angela Merkel si partneren më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara.

“Ajo është e ndershme, e fortë, i bën detyrat e saj pasi i njeh çështjet në brendësi. Merkel është parimore dhe pasqyron lidhjet që amerikanët dhe gjermanët ndajnë në aspektin e demokracisë, tregjeve të hapura. Po ashtu, ajo sigurohet se të drejtat e njerëzve dhe dinjiteti personal respektohen maksimalisht”, u shpreh Obama.
 
Kancelarja do të kandidojë për të ruajtur postin e saj edhe për një mandat të katërt. Presidenti Obama ndodhet në Berlin si pjesë e turneut të lamtumirës. Ai kërkon të sigurojë aleatët amerikanë se Trump do të ruajë njësoj marrëdhëniet strategjike amerikane me pjesën tjetër të botës, duke përfshirë edhe NATO-n.

Në vazhdim, presidenti i SHBA dhe Merkel pritet të zhvillojnë bisedime në kryeqytetin gjerman me presidentin francez François Hollande, kryeministrin italian Matteo Renzi, kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy dhe kryeministren britanike Theresa May.

Top Channel