Spektakli i futbollit evropian gjatë fundjavës

18/11/2016 00:00

Kjo fundjavë futbollistike do të jetë vërtet shumë e zjarrtë. Kalendari në kampionatet më të rëndësishme evropiane ka rezervuar ndeshje vërtet madhështore.

Seria e ndeshjeve të mëdha do të hapet pikërisht me ndeshjen Manchester United-Arsenal. “Topçinjtë” e Londrës janë në vendin e katërt në kampionat dhe do të udhëtojnë në “Old Trafford” për t’u përballur me skuadrën e vendit të gjashtë. Por jo vetëm kaq, kjo sfidë cilësohet edhe si beteja e pankinave pasi përballë do të jenë pikërisht dy “armiqtë e betuar”, Jose Mourinho dhe Arsene Wenger.

Më pas, do të jenë Borussia Dormund dhe Bayern Munchen ato që do të zbresin në fushën e lojës. Skuadra e Tuchel kërkon të hyjë me çdo kusht në zonën e Ligës së Kampioneve dhe këtë do ta kërkojë ta arrijë në përballjen me Bayern e Ancelottit, që kryeson Bundesligën së bashku me surprizën Leipzig.

Super e shtuna do të mbyllet me derbin madrilen mes Realit dhe Atleticos. Skuadra e “Los Blancos” do të kërkojë që të ruajë vendin e parë në renditje në La Liga, ndërkohë që Atletico Madrid dëshiron të mos dalë nga zona Champions dhe për t’ia arritur qëllimit të dyja këto skuadra duhet të fitojnë përballjen mes tyre në “Vicente Calderon”.

Mbrëmja e së dielës ka rezervuar derbin e Madoninës mes Interit e Milanit, një sfidë kjo që është përkufizuar edhe si derbi i kinezëve për shkak të investimeve që kompanitë nga vendi i Lindjes së Largët kanë bërë te klubet milaneze.

Top Channel