Tahiri dhe Lame shpërndajnë 250 leje legalizimi në Kombinat

18/11/2016 00:00

250 leje legalizimi janë shpërndarë në zonën e kombinatit në Tiranë. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame i kërkuan banorëve të bëhen bashkëpunues me institucionet.

“Në këtë zonë ka akoma shumë legalizime për t’u bërë, shumë familje që e presin procedurën. Ka shumë familje që ende janë duke plotësuar dokumentacionin. Flisni me ta për të plotësuar, për të ardhur në zyrat tona, për të shkuar të zyrat e Njësisë Administrative kur ka nevojë për të marrë dokumente nga njësia për t’i plotësuar dosjen. Thuajuni – ne vajtëm, morëm dhe mbyllëm procesin e legalizimit, shkoni dhe ju aplikoni dhe ndiqni procedurat, plotësoni dosjet, – sepse vetëm bashkë mund ta çojmë procesin përpara. Ne nga zyra dhe ju nga shtëpia nuk i legalizojmë dot. Bashkërisht siç e bëmë deri më sot do vazhdojmë dhe më tutje”, tha Lame.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se në tre vjet në qarkun  e Tiranës janë bërë 20 mijë legalizime dhe kjo është prova më e mirë për të bërë më shumë më tej duke bashkëpunuar.

“E dini fort mirë ju më shumë se unë, sesa shumë kandidatë për deputetë, për kryetarë bashkie, deputetë, ministra, qeveritarë ju kanë ardhur te dera. Se sa shumë ju kanë matur shtëpinë. Sa shumë iu kanë rënë nga pas, pas çdo zgjedhje, para çdo fushate elektorale e kështu me radhë. Vetëm duke iu premtuar legalizimin. Është një plagë jo e vogël sot, të cilën ne po e trajtojmë me energji maksimale. Siç kemi bërë me legalizimet, kemi bërë thuajse me të gjitha fushat.  Shqipëria që morëm në 2013-n ishte buzë greminës, sa i takon ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, të gjitha fushave”, është shprehur Tahiri.

Top Channel