Varroset ish-diktatori i Filipineve

18/11/2016 00:00

Ish-diktatori i Filipineve, Ferdinand Marcos u varros në “Varrezën e Heronjve” në kryeqytetin e vendit, Manila. Marcos, i cili u rrëzua nga pushteti dhe u detyrua të braktiste vendin në vitin 1986, ndërroi jetë 3 vjet më vonë, në 1989 në SHBA. Më pas, ai u balsamos dhe mbahej në shtëpinë e tij, në qytetin Batak.

Por, varrimi i tij mes heronjve të vendit u vendos nga Gjykata Supreme e Filipineve, një vendim që ka shkaktuar shumë kundërshtime në vend. Protesta të shumta janë organizuar kundër nderimit në këtë formë të një njeriu që fajësohet për mijëra vrasje, tortura dhe rrëmbime. Ish-presidentë dhe artistë me rëndësi kombëtare janë varrosur në “Varrezat e Heronjve”, megjithëse shumica e tyre janë ish-ushtarë. Në gusht, presidenti i Filipineve Rodrigo Duerte dha leje për varrimin e Marcosit aty, duke e quajtur atë një ushtar filipinas.

Gjykata Supreme e mbështeti këtë vendim në nëntor dhe trupi u dërgua me shpejtësi në varrezë të premten pa asnjë lajmërim, duke zënë në befasi ata që kundërshtonin procedurën. Këta të fundit thanë se Marcos u varros si një hajdut natën, pasi askush nuk e donte atë. Megjithëse zyrtarë filipinas e përshkruan funeralin si privat dhe çështje familjare, pamjet e filmuara nga mediat lokale tregojnë se bëhej fjalë për një funeral shtetëror, që u shoqërua edhe me 21 gjëmime topash.

Marcos dhe gruaja e tij Imelda sunduan Filipinet për 20 vjet, kryesisht nën ligj ushtarak, derisa më shumë se 1 milion njerëz i rrëzuan nga pushteti me protesta. Veç brutalitetit shtetëror, ata akuzohen edhe për korrupsion dhe vjedhjen e miliarda dollarëve nga fondet shtetërore.

Top Channel