Manushaqe Shehu ende nuk i ka vendosur spaletat e gjenerales, por tashmë ashtu e nderojnë të gjithë ushtarakët. Ajo tregon emocionet e para, por edhe përgjegjësitë që mbart grada e re, që asnjë femër para saj nuk e ka marrë.

“Grada gjenerale është një gradë që do të thotë përgjegjësi më shumë, do të thotë impenjim më shumë, përkushtim më shumë. Shpresoj që me përkushtimin tim ta mbaj me nder dhe të bëj më të mirën e mundshme për Forcat e Armatosura shqiptare”, thotë Gjeneralja Shehu.

Edhe pse Shehu ka hyrë në radhët e Forcave të Armatosura që në moshën 17-vjeçare, mbështetja e familjes dhe e bashkëshortit gjithashtu ushtarak, për të kanë qenë vendimtare për të arritur në majën e hierarkisë ushtarake, ku edhe meshkujt numërohen me gishtat e njërës dorë. Aktualisht në Shqipëri gradën e Gjeneralit, para zonjës Shehu e kishin vetëm 6 oficerë madhorë.

“E them me shumë çiltërsi që pa mbështetjen e familjes nuk do t’ja kisha dalë”, rrëfen ajo.

Komandantja e Akademisë së Nënoficerëve të Forcave Tokësore është e bindur se me një ministër të Mbrojtjes mashkull, ajo nuk do të kishte marrë gradën e gjenerales. Sipas Shehut, punët mbarohen më mirë me gratë.

“Mendo një punë të mbaruar besoja një gruaje! Gratë janë të përkushtuara. Janë shumë punëtore. Këtë e tregon më së miri vetë jeta civile, ku gratë punojnë shumë, janë shumë të palodhura dhe ndoshta burrat punojnë pak më pak. Nuk them që nuk punojnë, por po të shikojmë statistikat, gratë janë më shumë të angazhuara që të punojnë më shumë sesa burrat”, deklaron e sapograduara Gjenerale.

Top Channel