Një sasi e madhe armësh dhe municioni janë zhdukur në një nga depot e ushtrisë serbe. Nuk ka konfirmim nëse kjo ka lidhje me incidentet e mëparshme lidhur me atentatet në Podgoricë dhe në Beograd, por atmosfera në Serbi vazhdon të jetë e frikshme, pasi tensionet vazhdojnë. Pas grupit që planifikonte atentat ndaj kryeministrit të Malit të Zi, tensionet u shtuan edhe në Serbi, kur edhe u zbulua makina me armë pranë shtëpisë së Aleksander Vuçiç.

Armë dhe municion janë zhdukur nga një depo ushtarake në kryeqytetin serb, Beograd. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka bërë të ditur se në numër nuk janë 70 pushkë gjysmëautomatike, 5 pushkë automatike, 2 arka municion të kalibrit 7.62 dhe 9 mm. Ministria dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë formuar një komision për të ndjekur hetimet.

Frika ekziston pas një varg ngjarjesh që lidhen me armatim e kërcënime që pas zgjedhjeve në Podgoricë. Policia serbe gjeti armë në afërsi të shtëpisë së prindërve të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, që u cilësua si atentat.

Shtypi serb shkruan për ditë të tëra vetëm për këtë gjë. Vuçiç dhe vëllai i tij, Andrej, shihen si persona në rrezik. Vuçiç, ditë më parë tha se nuk brengoset: “Nuk dua të flas për këto gjëra, pasi populli nuk ka nevojë të jetë peng i shqetësimit për ne, pasi është detyra jonë që ne të shqetësohemi dhe kujdesemi për ta”.
 
Policia pati mbajtur një person në Bosnje lidhur me armatimin e gjetur në afërsi të shtëpisë së kryeministrit Vuçiç. Hetimet ende nuk kanë treguar se si ka ardhur deri tek kjo, por Vuçiç dha dorëheqjen nga koordinimi i agjencive për siguri pasi edhe pjesëtarë të shërbimit serb thuhej se kishin dhënë informacione për agjencitë e huaja.

Top Channel