Protestuesit në Brazil kërkojnë regjim ushtarak

17/11/2016 00:00

Dhjetëra protestues hynë me forcë në Dhomën e Ulët të Parlamentit brazilian ku paraqitën një kërkesë mjaft të veçantë: ata duan një grusht ushtarak shteti.

Të paktën 40 protestues u përleshën me rojat e Kongresit në kryeqytetin Brazizlia dhe morën kontrollin e podiumit ndërsa po niste seanca e rregullt. Duke denoncuar korrupsionin qeveritar, protestuesit kërkuan rikthimin e sundimit ushtarak, që në Brazil u aplikua nga viti 1964 deri më 1985.

Protestuesit kënduan himnin e Brazilit në Dhomën e Ulët të Kongresit dhe gjithashtu i bënë thirrje gjeneralëve të ushtrisë që të vepronin.

Policia braziliane ndërhyri për të zgjidhur situatën, megjithëse ju deshën mbi 3 orë për të ndaluar dhe arrestuar të gjithë grupin e protestuesve që kërkonin një qeveri ushtarake. Mes thirrjeve të tyre ishte edhe ndalimi i valës së privatizimeve të ndërmarra nga presidenti Michel Temer.

Ky i fundit shfrytëzoi situatën duke thënë se akti i protestuesve ishte shkelje e normave demokratike, ndërsa theksoi se mbi të gjitha ishte një paralajmërim se vendi po kthehet në kohën e ekstremeve.

Besimi publik tek institucionet braziliane ka rënë ndjeshëm pas skandaleve masive korruptive dhe paditjes së presidentes Dilma Rusef.

Protestat në Brazil janë shndërruar prej muajsh në ngjarje të zakonshme, por ishte hera e parë që protestuesit, megjithëse të paktë në numër, kërkonin rikthimin e sundimit të ushtrisë në mënyrë kaq demonstrative.

Analistët thonë se kjo flet shumë për zemërimin që të paktën një pjesë e publikut ka me qeverinë aktuale saqë është i gatshëm t’i rikthehet të shkuarës.

Top Channel