Beteja për Mosulin, moti i keq ndal ofensivën

17/11/2016 00:00

Forcat irakiane ndalën përparimin e tyre në Mosul për shkak të motit të keq, një muaj pasi nisën ofensivën për të rimarra qytetin e dytë më të madh në Irak nga duart e Shtetit Islamik.

Zyrtarë të ushtrisë irakiane thanë se shikueshmëria e ulët kishte kufizuar aftësinë e aviacionit që të siguronte mbështetje për këmbësorinë, prandaj derisa moti të përmirësohet, ushtria do të sigurojë zonat ku ka hyrë në qytet.

Militantët e ISIS vazhdojnë që të bëjnë një rezistencë në fortë duke përdorur snajperë, bomba të fshehura kudo dhe kamikazë. Gjatë dy javëve të para të operacionit, ushtria irakiane dhe aleatët e saj avancuan me shpejtësi nga lindja duke zmbrapsur me forcat e ISIS.

Por tashmë që beteja është spostuar në rrugët e Mosulit, përparimi është tejet i ngadaltë, pasi ushtria me mjetet e saj e ka të vështire të manovrojë në rrugicat e ngushta të rrethinave lindore të Mosulit. Për më tepër, forcat irakiane që vijnë nga veriu dhe jugu, ende nuk kanë hyrë në qytet, diçka që do të sforconte maksimalisht aftësinë mbrojtëse të militantëve islamikë.

Ekspertët thonë se nga përballja aktuale është e qartë se beteja për Mosulin do të vazhdojë me javë të tëra, duke qenë se rruga drejt qendrës së qytetit duket tejet e ndërlikuar dhe e rrezikshme. Ndërkohë, OKB paralajmëroi se situata për civilët në zonat që kontrollohen nga ISIS, por edhe ato të çliruara po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Numri i njerëzve që kanë braktisur qytetin ka kaluar 60 000 dhe sipas OKB, ndërsa luftimet do t’i afrohen qendrës së qytetit, ky numër pritet që të shumëfishohet me shpejtësi.

Top Channel