Kina, leksion historie Trumpit

17/11/2016 00:00

Kina hodhi poshtë pretendimet e Donald Trump se ndryshimet klimaterike janë një mashtrim kinez, duke nxitur presidentin e zgjedhur që të marrë një vendim të zgjuar përsa i takon angazhimit të vendit të tij në luftën kundër ngrohjes globale.

Trumpi, i cili është i pari mohues i vetëshpallur i ndryshimeve klimaterike që udhëheq një prej ndotësve më të mëdhenj në botë, e ka cilësuar ngrohjen globale si gjepura të shtrenjta, ndërsa tha se koncepti ishte krijuar nga kinezët për të dëmtuar aftësitë konkurruese të sektorit të prodhimit në SHBA. Por gjatë samitit për klimën në Marok, zëvendës ministri i Jashtëm i kinës Liu Zhenmin tha se ishin paraardhësit republikanë të miliarderit që nisën negociata për klimën thuajse tre dekada më parë.

“Nëse shikoni historinë e negociata për klimën, ato nisën nga paneli ndërqeveritar i ndryshimeve klimaterike, organizëm i OKB dhe administratat e presidentëve Regan dhe Bush në fund të viteve ‘80”, deklaroi Zhenmin, i cili shtoi se Kina shpreson që SHBA të vazhdojë rolin udhëheqës në luftën ndaj ngrohjes globale.

Më pak se tre muaj më parë, ambientalistët festuan kur Kina dhe SHBA, dy ndotësit më të mëdhenj në botë, ratifikuan paktin e Parisit për klimën. Por fitorja e Trump kërcënon këtë arritje, pasi presidenti i zgjedhur ka kërcënuar që të tërhiqet nga pakti i Parisit dhe të eliminojë planin e Obama-s për uljen e ndotjes së SHBA.

Top Channel