Itali, GDF “peshkon” 17 thasë marijuhanë nga ajri

17/11/2016 00:00

Këtë herë motovedetave të Guardia di Finanza-s u është dashur të “peshkojnë” në det 17 thasë marijuhanë të zbuluara gjatë një patrullimi nga ajri.

Pesë milje larg portiti të qytetit të Otrantos, forcat e rendit punuan për të mbledhur lëndën narkotike të ambalazhuar më së miri për t’i rezistuar lagështirës. Është llogaritur se vlera e saj në treg arrin në rreth 2 milionë euro.

Hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse episodi ka lidhje me atë të ditës së mërkurë, kur dy shtetas shqiptarë u shpëtuan pak a shumë në të njëjtën zonë nga rojet bregdetare, pasi kishin mjetin në avari.

Njëri prej të shpëtuarve u arrestua menjëherë sepse ishte i kërkuar për shkelje të kryera në zonën veriore të Italisë. Ende nuk dihet nëse marijuhana udhëtonte me mjetin në avari, apo me ndonjë tjetër që nuk është kapur dot.

Top Channel