Austria, avokate e Shqipërisë, lobim për negociatat

17/11/2016 00:00

Austria do të jetë avokate e Shqipërisë deri në muajin dhjetor sidomos me Holandën dhe Greqinë, vendet skeptike për çeljen e negociatave në muajin dhjetor.

Michael Linhart, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, tha në Tiranë, pas një takimi me Ministren e Integrimit, Gjosha, se Austria është në favor të Shqipërisë dhe për këtë nevojitet një lobim i fortë tek partnerët europianë.

“Do të përpiqemi të bindim edhe partnerët tanë të japin një votë pozitive. Do presim konkluzionet e raportit të Këshillit. Është e rëndësishme që në punën tonë të mos bindim vetëm 2 vende të BE, por të gjitha vendet anëtare. Shqipëria ka bërë progres në ecurinë e saj dhe ne duhet ta respektojmë. Ofrojmë të gjithë mbështetjen tonë dhe do të ndihmojmë në ecurinë edhe më tej. Gjithçka mbetet në dorën e Shqipërisë. Këtë vit Shqipëria ka zgjedhjet dhe në qoftë se zgjedhjet plotësojnë të gjitha standardet, atëherë mendoj se s’do të ketë asnjë problem që ta pengojë rrugëtimin e Shqipërisë”, tha Michael   Linhart, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrisë së Jashtme të Austrisë.

Pyetur nga Top Channel në qoftë se deri më tani ndonjë vend anëtar ka shprehur rezerva për çeljen e negociatave për vendin tonë, ministrja Gjosha tha se Shqipëria duhet të mendojë për plotësimin e kushtit të vetëm, implementimin e Vettingut.

“Shqipëria e ka marrë një rekomandim. Ai vjen me një kusht që ne ja kemi vendosur vetes, për vazhdimësinë e implementimit të reformës në drejtësi dhe zbatimit të ligjit për KLGJ e KLP. Shpresoj që në dhjetor të kemi një rekomandim pozitiv. Çfarë do që të ndodhë në dhjetor, Shqipëria i ka kushtet dhe të krijojë klimën pozitive për zbatimin e reformës. Data kur Shqipëria të nisë implementimin e ligjit KLGJ e KLP do jetë data që do e çojë Shqipërinë përpara”, u shpreh Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian.

Austria është një nga iniciatorët e “Miqtë e Shqipërisë”, një grup që konfirmon mbështetjen e vendeve anëtarë të BE në procesin e integrimit.

Top Channel