Greqia kujton sot 43-vjetorin e revoltës studentore të vitit 1973, kur dhjetëra të rinj grekë u vranë dhe u torturuan nga regjimi ushtarak i kolonelëve.

Të shtënat e armëve nuk pushuan për tre ditë. Në tarracat e godinave gjendeshin kudo snajpera dhe në fund tanket shkatërruan portën dhe shkelën mbi trupat e studentëve. Ngjarjet e Politeknikumit të Athinës shënuan atë që quhet “fundi i rënies së juntës ushtarake në vend”.

Çdo vit, më datë 17 nëntor, mijëra grekë vendosin lule në monumentin e ngritur në nder të viktimave të revoltës studentore dhe në vazhdim mijëra prej tyre protestojnë në rrugët e kryeqytetit helen.

Protesta përfundon jashtë ambasadës amerikane. Grekët akuzojnë qeverinë amerikane për mbështetjen që iu dha kolonelëve në ato ditë të errëta të juntës në vend.

Për ruajtjen e rendit në Athinë janë vendosur më shumë se 7 mijë policë, të cilët do të monitorojnë mbarëvajtjen e protestës.

Policia ka shprehur frikën për degjenerim të protestës në akte dhune, për shkak të mesazheve të koduara të grupimeve anarkiste, të cilat bëjnë thirrje për një mbrëmje të “nxehte” gjatë zhvillimit të protestave.

Shumë rrugë të kryeqytetit janë të bllokuara dhe disa stacione metroje janë mbyllur. Drejtoria e Policisë së Atikës njoftoi se ka mobilizuar edhe forcat anti-terror, ndërsa dy helikopterë do të monitorojnë protestën nga ajri.

Në gatishmëri janë vendosur edhe forcat zjarrfikëse, ndërsa shkollat dhe godinat publike janë mbyllur. Protesta të ngjashme janë paralajmëruar edhe në Selanik, Pater, Iraklio, si dhe në shumë qytete të tjera të vendit.

Top Channel