Basha me strukturat e PD në Shijak: Rama ndan milionat me miqtë

17/11/2016 00:00

Në një takim me strukturat e PD në Shijak, kryetari Lulzim Basha ka kritikuar edhe njëherë politikat e qeverisë Rama. Në fjalën e tij, Basha ka deklaruar se, me paratë që Rama i jep klientelës së tij mund të ishin siguruar paga dhe pensione më të larta, subvencione për fermerët dhe nuk do të kishte rritje të çmimit të energjisë.

“S’ka lekë për subvencione për bujqësinë thotë. 220 milionë euro që kanë shkuar për shpenzime luksi, ose tendera për shokët, po t’i pjesëtojmë me numrin total të fermerëve i bie mesatarisht 500 dollarë për fermer subvencione. Ka parë njëri këtu kokër leku këto tre vjet?! Jo 500 në vit, po kokërr leku?!”, ka thënë Basha.

Sipas tij, 120 milionë lekë të tjera kryeministri ua ka dhënë miqve të vetë për punë publike që kanë shërbyer vetëm për fasadë.

“Çfarë ndodh?! Mbjell palma në autostradë, autostrada me shiun e parë u kthye në lumë. Shihni faturat e energjisë, ça bën me ato lekë?! Mos ka bërë linja të reja këtu, mos ka zëvendësuar transformator?! Ja ta them unë se çfarë bën: 5.4 milionë euro ia ka dhënë Pandi Carapulit”, ka vijuar Basha denoncimin e tij.

Zgjidhja për Bashën është që paratë që shkojnë sot në xhepat e një grushti miqsh dhe klientësh të Edi Ramës të shkojnë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të hapur vende pune, për të subvencionuar fermerët dhe për të investuar në infratsrukturën bujqësore të lënë, sipas tij, tërësisht në harresë.

“220 milionë euro për shpenzime luksi ose tendera, po të vendoste t’i ndante ndryshe do të kishte para edhe për t’u dhënë fermerëve subvencionin, edhe për të rritur pensionet, ndihmën sociale, për të investuar në infrastrukturën bujqësore dhe për të ulur çmimin e energjisë. Këto janë zgjidhjet, kjo është politika, politika s’janë fjalët. Kur ke pushtetin politika është buxheti, sa taksa mbledh dhe çfarë bën me paratë që mbledh. Ky ka rritur taksat dhe paratë që mbledh i ka vetëm për veten e tij”, ka shtuar Basha.

Top Channel