Marrëdhëniet tregtare, kryeministri japonez takim me Trump

17/11/2016 00:00

Kryeministri japonez do të bëhet lideri i parë i huaj që do të takohet me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pas fitores së tij në zgjedhjet e javës së kaluar.

Shinzo Abe deklaroi para nisjes së udhëtimit të tij se, dëshiron të ndërtojë një mirëbesim dhe të punojë bashkarisht me Trump për prosperitetin dhe paqen në botë.

Takimi në Nju Jork vjen pas shqetësimeve të shumta të krijuara sa i takon drejtimit të politikës së jashtme të Trump ndaj Tokios, aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara në Azi.

Zoti Trump ka deklaruar më herët se, Japonia duhet të paguajë më shumë që të mbajë trupat amerikane në territorin e saj.

Ai ka kritikuar gjithashtu një marrëveshje të madhe tregtare të nënshkruar nga presidenti Obama me Japoninë dhe vende të tjera të Azisë së Paqësorit.

Amerika dhe Japonia kanë qenë aleatë të rëndësishëm që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kur Uashingtoni e ndihmoi të rindërtonte ekonominë.

Zoti Abe do të ndalojë në Nju Jork në kuadër të udhëtimit të tij për në Peru, ku do të marrë pjesë në samitin për këmbimet tregtare me Azinë e Paqësorit.

Por detajet e takimit me Trump mbeten ende të paqarta. Ajo që ka rënë në sy së fundmi është se Trump ka tërhequr disa nga deklaratat e tij më forta të bëra gjatë fushatës elektorale.

Top Channel